Kompanitë në Kosovë hetohen për fiksim çmimesh

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke shqyrtuar një mori lëndësh ku dyshohet se grupe operatorësh të ndryshëm ekonomik, kanë bërë marrëveshje për fiksim të çmimeve apo shërbimeve si dhe kanë keqpërdorur pozitën dominuese në treg.
Fiksimi i çmimeve është marrëveshje e cila është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se janë në fazën e trajtimit të disa lëndëve të parashtruara nga ankuesit.
“Fiksimi i çmimeve nga ndërmarrjet në kartel i ndalon edhe Ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Por, normalisht në çdo vend ku ka ekonomi të tregut të lirë mund të ketë aktorë që tentojnë të shtrembërojnë konkurrencën e drejtë, siç janë pjesëmarrësit në kartel që hartojnë një marrëveshje të ndalur në formë të shkruar ose në formë të bashkërenduar”, thekson Prestreshi.
Por, siç thekson Prestreshi, të gjitha ato kompani që tentojnë ta çrregullojnë tregun në formë të marrëveshjes së ndalur ose më bashkërendim do të hetohen nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
“Kemi tri elemente bazë shtyllë që konkurrenca i trajton, siç janë marrëveshjet e ndaluara, abuzimet me pozitën dominuese dhe përqendrimet e ndaluara (kur dy firma blejnë njëra tjetrën, por në mënyrë jo ligjore). Pjesa më e theksuar janë marrëveshjet e ndaluara pasi që ndërmarrjet nuk kanë akoma njohuri për Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, thekson ai.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në të kaluarën kishte ndëshkuar me nga 100 mijë euro kompanitë për shitjen e arkave fiskale, pasi që si të tilla ishin dyshuar për fiksim të çmimeve. Në mënyrë të ngjashme ishte vepruar edhe me 10 kompani të sigurimeve të cilat ishin gjobitur secila me nga 100 mijë euro.
Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se fiksimi i çmimeve bëhet në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Ata thonë se ndërmarrjet që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues.
Me Ligjin mbi Konkurrencën, ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.