Kompanitë optimiste, konsumatori skeptik! – BSH publikon vrojtimin: Besimi i bizneseve në ekonomi, më i larti I 4 viteve të fundit
Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik këtë verë pas muajve të zymtë të Pandemisë e ka rritur treguesin e besimit në ekonomi në nivelet më të larta që prej katër vitesh. Banka e Shqipërisë ka publikuar vrojtimin më të fundit mbi treguesin e ndjesisë ekonomike, I cili është ngjitur më nivelin e 110.4, duke pasqyruar përmirësimin e besimit në të gjithë sektorët e biznesit në një kohë që besimi konsumator mbeti i pandryshuar nga niveli i muajit qershor.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 4.3 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet pozitive të bizneseve për prodhimin aktual. Vlerësimi i tyre për kontratat porositëse në total ishte pak më i ulët se ai i muajit qershor, ndërsa ishin më optimistë për rritjen e kontratave porositëse nga eksportet. Gjithashtu, bizneset e industrisë presin rritje të prodhimit dhe të punësimit në muajt në vijim.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) vijoi prirjen rritëse në muajin korrik, duke qëndruar në nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. TBN-ja u rrit me 5.8 pikë përqindje në krahasim me një muaj më parë, e ndikuar nga të dy komponentët përbërës: porositë aktuale dhe aktiviteti ndërtues aktual.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) regjistroi rritje për të katërtin muaj rresht, duke arritur nivelin më të lartë që nga muaji maj 2018. Rritja e tij me 8.6 pikë përqindje në muajin korrik u ndikua si nga komponenti i lidhur me ecurinë e biznesit ashtu edhe nga komponenti i lidhur me kërkesën.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) vijoi prirjen rritëse të nisur që nga muaji gusht i vitit të kaluar. Aktualisht TBT-ja shënon nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Në krahasim me muajin e kaluar, TBT-ja u rrit me 4.8 pikë përqindje, e ndikuar kryesisht nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Komponenti tjetër i TBT-së, pritjet për punësimin në të ardhmen, regjistroi një rritje të ulët gjatë muajit korrik (Tabelë 2, sektori i tregtisë).
Treguesi i besimit konsumator (TBK) mbeti i pandryshuar në muajin korrik, në krahasim me një muaj më parë, pasi kishte shënuar rritje në tre muajt paraardhës. Niveli i tij qëndron ende nën mesataren e vet afatgjatë. Komponentët përbërës të TBK-së shënuan ndryshime me kahe të kundërta. Nga njëra anë, vlerësimi i konsumatorëve për blerjeve aktuale në shuma të mëdha dhe pritjet për to u përmirësuan në korrik; nga ana tjetër, pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare ranë lehtë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.