Kompanitë që investojnë më shumë në kërkime – Kryeson një prodhues automjetesh

Miliarda dollarë dhe orë të panumërta në kërkim dhe zhvillim qëndrojnë pas çdo produkti të suksesshëm, qoftë ky një iPhone apo një ilaç që lufton sëmundjet.
Firma PriceWaterhouseCoopers ka bërë një raport ku rendit 20 kompanitë publike botërore që kanë shpenzuar më shumë në kërkim dhe zhvillim gjatë viteve 2005-2015.
Në krye, çuditërisht nuk është as Google e as Amazon, por Volkswagen. Prodhuesi gjerman i automjeteve merr pozicionin e parë me 13,2 miliardë dollarë të shpenzuara në projekte kërkimore, pra pothuajse 6% të të ardhurave vjetore të kompanisë.
Por sa i takon përqindjes së të ardhurave vjetore që shkojnë në kërkime, natyrisht që kryeson një kompani farmaceutike: britaniko-suedezja AstraZeneca ka shpenzuar 21,5% të të ardhurave në sektorin e zhvillimit.
Në total, në listë përfshihen 7 kompani farmaceutike, 5 prodhues automjetesh, 4 kompani që prodhojnë software dhe 4 të tjera që prodhojnë pajisje elektrike. 12 nga 20 kompani janë të bazuara në Shtetet e Bashkuara.
Nëse analizojmë edhe trendet vjetore, Volkswagen kryeson klasifikimin prej 5 vitesh, por Samsung dhe Amazon janë duke shtuar shpenzimet vit pas viti dhe mund të rrëzojnë nga froni kompaninë gjermane.
PWC llogarit gjithashtu edhe kompanitë më inovatore, ku Apple dhe Google kryesojnë listën për vitin 2016.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.