Kompanitë shqiptare “larg” inovacionit – Instat: Vetëm 11.3% kanë implementuar teknologji dhe shërbime të reja
Duket se pjesa më e madhe e kompanive në Shqipëri nuk e “përqafojnë” të renë, duke qëndruar besnikë ndaj metodave klasike të shërbimeve. Sipas raportit më të fundit të Instat mbi aktivitetin e inovacionit në ndërmarrje, afro 62% e ndërmarrjeve të vrojtuara nuk kryejnë aktivitete inovacioni.
Studimi është bërë për periudhën 3 vjeçare 2017-2019, ku ndër të tjera rezulton se ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë janë më pak inovative me 66%, ndërsa ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve rezultojnë afro 60% jo aktive në inovacion.
Po ashtu, sa i takon implementimit të pajisjeve të reja teknologjike apo programeve inovative, në këtë periudhë 3 vjeçare, Instat tregon se vetëm 11.3% e ndërmarrjeve kanë blerë makineri, pajisje, apo mjete programuese të bazuara në teknologji të re që nuk ishte përdorur më parë nga këto ndërmarrje.
“Gjatë periudhës 2017-2019, 25,3 % e të gjitha ndërmarrjeve të vrojtuara zhvilluan inovacione të produkteve (mallra ose shërbime të reja ose të përmirësuara), ndërsa 32,9 % zhvilluan procese biznesi të reja ose të përmirësuara” rezulton më tej në raportin e Instat.
Megjithatë, ajo që vihet re nga studimi i Institutit të Statistikave është se grupi i ndërmarrjeve të mëdha me mbi 250 të punësuar rezultuan më aktive në inovacion, me 67.9%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.