Kompensimi financiar i pronarëve – Gjonaj: Fondi 30 milionë dollarë për vitin e ardhshëm
Rreth 30 milionë dollarë është fondi i parashikuar nga Ministria e Drejtësisë për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin e ardhshëm. Ndërsa prezantoi projektbuxhetin e dikasterit të saj për vitin 2018 në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se 2.5 miliardë lekë nga ky fond do të jepen nga Qeveria, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga arkëtimet e ALUIZNI-t prej legalizimit të ndërtimeve pa leje.
“Për vitin 2018 kjo shifër është 2.5 miliardë lekë, plus ato që do të krijohen nga ALUIZNI, pra vlera që i shtohet nga buxheti i shtetit është 700 milionë lekë më tepër. Nëqoftëse ALUIZNI do të krijojë disa të ardhura, siç është planifikuar që do të krijojë për vitin 2018, ashtu sa ç’ka krijuar në vitin 2017, vlera përsëri do të qëndrojë 700 milionë lekë më e lartë për të kompensuar pronarët lidhur me pronat e tyre”, tha Gjonaj.
Për vitin 2017 janë kompensuar financiarisht mbi 700 ish-pronarë me një vlerë totale prej rreth 3.3 miliardë lekësh.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.