Kompensimi i pronarëve, miratohet fondi 597 milionë lekë!
Qeveria ka miratuar një tjetër vendim për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Kavajë, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Fier, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Lezhë, Vlorë, Zonat e Stimuluara, Tiranë Rurale 2.
“Masa e kompensimit është 67 346,4 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e treqind e dyzet e gjashtë presje katër) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 597 547 093 (pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e dyzet e shtatë mijë e nëntëdhjetë e tre) lekë.
Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen” përcaktohet në vendim.
Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Kavajë, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Fier, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Lezhë, Vlorë, Zonat e Stimuluara, Tiranë Rurale 2, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.