Kompleks multisportiv, Veliaj: Më shumë hapësira për të rinjtë
Pas këndit të lojërave për fëmijë dhe këndit të ri të forcës për të rriturit Parkut të Liqenit Artificial në kryeqytet, i është shtuar edhe kompleksi më i madh multisportiv, i cili u shërben të gjithë atyre që duan të luajnë futboll, basketboll, volejboll, regbi, hendboll, hokej me patina etj.
Bashkia e Tiranës ka rehabilituar plotësisht tre fushat sportive, të cilat tashmë janë në dispozicion të qytetarëve dhe të apasionuarve pas sportit në natyrë.
Kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se projekte të tilla do të zbatohen edhe në parqe të tjera të Tiranës, në mënyrë që edhe ato të marrin jetë dhe të frekuentohen nga qytetarët që duan të praktikojnë sporte të ndryshme.
Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto. Ndërkohë, tre tribunat ofrojnë 600 vende ulëse për publikun.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.