Komponenti jetik në makinat elektrike e laptopët – Beogradi në protestë kundër nxjerrjes së litiumit në Serbi!

Aktivistët mjedisorë protestuan jashtë zyrave të qeverisë në Beograd të shtunën në përpjekje për të ndaluar minierat e litiumit në Serbinë perëndimore. Javën e kaluar, gjigandi i minierave Rio Tinto pësoi një pengesë në planet e tij për të nxjerrë metalin – një komponent jetik në makinat elektrike, laptopët dhe bateritë e telefonave.
Këshilli i qytetit të Loznicës votoi për të pezulluar një plan zhvillimi që përfshinte projektin e minierave pas protestave nga ambientalistët në të gjithë vendin. Për tre fundjavë radhazi, mijëra protestues në Beograd dhe qytete të tjera anembanë vendit bllokuan rrugët kryesore dhe urat për të kundërshtuar planet e Rio Tintos në prag të votimit.
Tubimet u panë si sfida më e madhe për presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ai është përgjigjur duke thënë se nevojitet më shumë transparencë në lidhje me operacionet e Rio Tintos, ndërsa i ka kërkuar parlamentit të rishqyrtojë dy ndryshimet e fundit të ligjit që do ta kishin bërë më të lehtë për Rio Tinto fillimin e operacioneve pranë Loznicës.
Protestuesit thonë se çdo minierë e litiumit mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme ekologjike në lumenj dhe toka bujqësore në rajon. Grupet mjedisore si Friends of the Earth thonë se nxjerrja e litiumit mund të dëmtojë tokën dhe të shkaktojë ndotje të ajrit.
Ata thonë se kërkon gjithashtu shumë ujë – rreth 500,000 galon për ton litium – i cili është i dëmshëm në vendet që vuajnë gjithashtu nga mungesa e ujit, si Peruja. Në një njoftim për shtyp nga 16 nëntori, kompania tha se projekti “ka potencialin (…) të pozicionojë Rio Tinto si burimin më të madh të furnizimit me litium në Europë për të paktën 15 vitet e ardhshme.”
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.