Kompromis për sanksionet tregtare SHBA-BE – Le Maire: Zgjedhja e presidentit Biden, një fillim i ri
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire u shpreh se mund të arrihet një kompromis mbi sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë vendosur reciprokisht mbi subvencionet e aviacionit civil Boeing- Airbus.
“Unë mendoj se mund të arrihet një kompromis në javët e ardhshme, madje ekziston një mundësi për të ndërtuar një marrëveshje midis SHBA dhe Europës për çështjen Airbus-Boeing,” tha Le Maire.
Bashkimi Europian u shpreh javën e kaluar se do të vendoste tarifa deri në 4 MLD dollarë importe amerikane në shenjë hakmarrje për subvencionet amerikane për Boeing, pavarësisht shpresës për një përmirësim të lidhjeve tregtare nën Presidentin e zgjedhur të SHBA, Joe Biden, i cili merr detyrën në janar.
Tarifat e SH.B.A.-së për 7.5 miliardë dollarë të produkteve të BE-së pas një çështje paralele të OBT-së kundër Airbus kanë qenë në vend për më shumë se një vit. “Kjo çështje Airbus-Boeing është një çështje shumë e vjetër. Administrata amerikane ka vendosur të godasë Europën me një sanksion prej 7 miliardë dollarësh, kështu që ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse t’i përgjigjeshim këtij sanksioni. Ky ishte skenari normal,” tha Le Maire. Ai shtoi se nuk i nënvlerësoi vështirësitë e tejkalimit të hendekut midis pozicioneve të SHBA dhe BE por shtoi se nuk do të kursejë përpjekjet për të arritur një kompromis, në interes të Shteteve të Bashkuara dhe Europës.
Duke filluar nga e marta, BE do të vendosë tarifa prej 15% në eksportet amerikane të avionëve dhe prej 25% në një sërë produktesh, përfshirë duhanin, arrat, lëngun e frutave, peshqit, çantat, traktorët dhe pajisjet e kazinosë dhe palestrës. “Ne duhet të largohemi nga sanksionet . Zgjedhja e Presidentit Biden do të jetë një fillim i ri në marrëdhëniet midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara, theksoi ministri francez.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.