Komunikimi i Javës/ Rama: Komisionet e vettingut shumë shpejt do të japin rezultate, përgjegjësia jonë për integrimin e vendit në BE
Në komunikimin e tij javor kryeministri Rama deklaroi se qeveria ka shumë punë për të bërë në disa drejtime, që në katër vitet e ardhshme vendi ynë të jetë më afër Bashkimit Europian.
“Javën që u mbyll komisioni europian e vlerësoi në një raport të vetin Shqipërinë për rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, për konsolidimin e financave publike dhe për uljen e borxhit publik. Banka e Shqipërinë nga ana e saj ka vlerësuar që indeksi I besimit të operatorëve të biznesit, ndërmarrjeve dhe konsumatorit është rritur mbi nivelin mesatar të dhjetë viteve të fundit. Të dhënat e eksporteve kanë shënuar rritje shumë inkurajuese në dy shifra, 10 për qind në bazë vjetore. Ka vijuar po ashtu rritja e importit, makinerive dhe pajisjeve, çka tregon se po vazhdojnë investimet prodhuese, të cilat sjellin dhe punësim real. Edhe në luftën kundër informalitetit gjatë muajit tetor është konstatuar rritje e xhiros me 24 për qind dhe e kuponave të lëshuar me 23 për qind. Kemi ende shumë punë për të bërë, në drejtim të investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm. Dhe po ashtu në luftë me krimin dhe korrupsionin, sa nuk ka asnjë sekondë kohë për të humbur me grindje edhe llafe politike”.
“Në 4 vjet nga sot Shqipëria duhet të jetë shumë më afër BE se saç është sot. Dhe është dhe do të jetë përgjegjësia ime, një përgjegjësi që nuk më tremb, por më nxit të bëjë çdo ditë edhe më shumë, jo vetëm, por bashkë me gjithë të tjerët. Ne kemi marrë të plotë përgjegjësinë për të udhëhequr Shqipërinë dhe për të bërë gjënë e duhur për njerëzit e këtij vendi dhe do ta mbajmë këtë përgjegjësi me gjithë nderin dhe përkushtimin që na takon”.
Kryeministri sërish u bëri apel qytetarëve që të mos tregohen indiferent, por të t’i bashkohen qeverisjes nëpërmjet aplikacionit “Shqipëria që duam”.
“Nuk ka qeveri lart dhe njerëz poshtë por bashkëqeverisje me njerëzit si të barabartë me të barabartë. Tani dhe aplikacioni “Shqipëria që duam” është gati në dispozicion të kujtdo që duke e shkarkuar në celularin e vet e ka në xhep qeverinë. Shkarkojeni dhe nuk do zhgënjeheni”.
Kreu i qeverisë u ndal së fundi edhe te komisionet e Vettingut, ku deklaroi se shumë shpjet do të japin rezultate konkrete, ndërsa përsëriti mbështetjen e tij dhe qeverisë për drejtësi në vend.
“Edhe Komisionet e vettingut janë ulur në zyrat e tyre dhe kam bindjen se shumë shpejt do të tregojnë rezultatet e para konkrete të besimit dhe mbështetjes së popullit që kanë marrë. Është tjetër hap përpara në rrugën tonë për në BE dhe Shqipërinë që duam me shtet, punë dhe mirëqenie. Siç qëndruam së bashku dhe zmbrapsëm çdo orvatje për ta vrarë reformën në drejtësi bashkë me vettingun për dy vjet me radhë po ashtu do të mbështesim me të gjithë energjinë patriotike, politike dhe morale jetësimin e aspiratës kombëtare dhe popullore për drejtësi në këtë vend. Asgjë nuk do të ndalojë dot. Do të bëjmë të mundura shumë gjëra që koalicionet e partive na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.