Komuniteti i transportit – Këri: Integrim i rrjetit infrastrukturor me BE, 3 prioritetet për Shqipërinë
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar në parim projektligjin “Për ratifikimin e traktatit që themelon komunitetin e transportit”, i cili i hap rrugën integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrjetin infrastrukturor të Bashkimit Evropian.
“Ky traktat ka për qëllim themelimin e këtij komuniteti në fushën e transportit rrugor, hekurudhor, detar si dhe zhvillimin e rrjeteve të transportit nëpërmjet Bashkimit Europian dhe 6 vendeve të Europës Juglindore. Traktati ka si objektiv integrimin progresiv të tregut të transportit në vendet e Evropës Juglindore dhe atë të BE-së në bazë të acquis përkatëse dhe përfshin fushat e standardeve teknike të ndërveprimit, sigurisë, politikës sociale, menaxhimit të trafikut e mjedisit për të gjitha fushat e transporti, duke përjashtuar atë ajror.”
Për Shqipërinë nënshkrimi i këtij traktati ka prioritet 3 rrjete kryesore.
“Për vendin tonë rrjeti kryesor apo Core Network siç quhet në teknologjinë e përditshme është sigurish i pari Adriatiko – Joniani, pra korridori jugor Adriatiko-Jonian. Më tej është Rruga 7 që është lidhja e Prishtinës nëpërmjet Morinës me portin e Durrësit, si edhe korridori 8 që është nga Durrësi në kufi me Maqedoninë.”
Kosto e anëtarësimit do të transferohet nga buxheti i parashikuar për observatorin për Europën juglindore, ku Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë.
“Në buxhetin e ministrisë ka qenë parashikuar buxheti për SETO-n, për Observatorin e Transportit të Europës Juglindore dhe e njëjta shumë është ajo që do të paguhet për komunitetin. Propozohet që kontributi i BE-së do të jetë në masën 80%, kurse kontributi i vendeve në total do të jetë 20%. Ky i fundit do të ndahet për secilin vend në masën fikse 2% dhe pjesa tjetër prej 8% do të ndahet përmes 6 vendeve në bazë të masës së PBB-së.”
Traktati paraqet përparësi, pasi do të shërbejë si një observator për të monitoruar performancën e zgjerimit të Rrjetit Kryeso TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe do të mbështesë zbatimin e axhendës së ndërlidhjes për 6 vendet anëtare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.