Koncesionet dhe PPP – MF, e fundit që vendos për dhënien ose jo të një projekti

Dhënia e një projekti me koncesion ose nëpërmjet Partneritetit Publik-Privat do të marrë firmën përfundimtare nga Ministria e Financave.
Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, për koncensionet të çdo projekti të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, Ministria e Financave duhet të shprehet brenda 10 ditëve nëse projekti ka efekte financiare ose jo.
Në të kundërt, koncesioni quhet i dhënë, ndërsa autoriteti vazhdon procedurat vijuese. Një ndryshim tjetër që bëhet për koncensionet, me vendim të qeverisë, ka të bëjë me propozimin e pa kërkuar.
Kështu, një subjekt që paraqet një studim të pa kërkuar për një koncesion ose një Partneritet Publik-Privat, nëse shpallet fitues përfiton një bonus për rezultatin tekniko-financiar prej 10 për qind të pikëve totale të garës.
Ndërkohë që Këshilli i Ministrave, në bazë të propozimit të Autoritetit Kontraktues, miraton me vendim pikët që jepen si bonus për propozuesin.
Ministria e Financave shprehet në mënyrë të argumentuar për miratimin ose refuzimin e projektit, jo më vonë se 40 ditë nga dita e marrjes së dokumentacionit të plotë, nëse autoriteti kontraktues nuk ka marrë ndonjë kërkesë për plotësimin apo shpjegimin e dokumentacionit.
Në rast se Autoriteti Kontraktues ka marrë një kërkesë të tillë, atëherë afati zgjatet me 15 ditë, nga dita kur është marrë informacioni.
Sa i përket Autoritetit Kontraktues, përpara dërgimit për miratim në Ministrinë e Financave të një projekti për partneritet publik-privat, që kërkon mbështetje financiare, duhet të garantojë që kostot përkatëse të projektit janë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar nga Kuvendi, si dhe brenda tavaneve të shpenzimeve për periudhën afatmesme, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.