Koncesionet e energjisë/Sa prodhuan të “mëdhenjtë” nga Ashta tek Banja

Viti 2016 rezultoi një vit i mirë për prodhimin e energjisë jo vetëm për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që është gjeneruesi kryesor në vend përmes kaskadës së Drinit por edhe për investitorët e mëdhenj të koncesioneve.
Vitin e kaluar hyri për herë të parë në prodhim hidrocentrali Banjë mbi lumin Devoll i kompanisë Statkraft. Në shtator nga ky burim i ri u prodhuan 2066 megavat/orë energji ndërkohë që në fund të dhjetorit bilanci disamujor u mbyll me mbi 69 mijë megavat/orë.
Të dhëna pozitive kanë shënuar edhe prodhuesit e tjerë të tregut dhe këtë e shohim nëse bëjmë krahasimin mes vitit 2015 dhe atij 2016. Hidrocentrali Peshqesh në Miridinë, një investim i kompanisë Ayen Enerji prodhoi në fund të vitit të kaluar 107 mijë megavat/orë ndërkohë që në fund të vitit 2015 kemi vetëm 28 mijë megavat/orë.
Kjo edhe sepse aktiviteti i këtij hidrocentrali nisi në prill dhe situata hidrike nuk ka qenë në të njëjtat parametra të 2016-ës. Hidrocentrali i Ashtës ka rritur dukshëm prodhimin në vitin 2016 kur regjistroi nivelin mbi 276 mijë megavat/orë energji të transmetuar për shitje ndërkohë që në vitin 2015 prodhimi ishte 235 mijë megavat/orë.
Katër hidrocentralet e tjera që janë blerë nga Kurumi Ulëz-Shkopeti dhe Bistrica1 dhe Bistrica 2 prodhuan gjatë vitit 2016, 427 mijë megavat/orë ndërkohë që në vitin 2015 vlera totale e prodhimit ishte 352 mijë megavat/orë.
Të dhënat e fundit tregojnë se investimet e mëdha të bëra në hidrocentrale përmes koncesioneve po rrisin peshën e tyre në raport me prodhimin total në vend dhe kthimi në vite kur situata hidrike është e mirë rezulton më shumë se pozitiv.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.