Koncesionet e hidrocentraleve – 39% e HEC-eve planifikohen në zona të mbrojtura
Në datën 16 shkurt 2018 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit, për 3 hidrocentrale mbi lumin Osum duke nënvizuar se mbështet veprat e reja energjetike, por projektet duhet të jenë në përputhje me kushtet teknike dhe në harmoni me mjedisin.
Vendndodhja e HEC-eve të rinj ishin derdhja e përrenjve të Veleshnjes dhe Bigasit, degë e lumit Osum, që derdhet në Kanionet e Osumit, zonë që gëzon statusin e mbrojtjes “monument natyre”. Por, këto hidrocentrale nuk janë të vetmit, të projektuar në zonat e mbrojtura.
Nga studimet më të fundit (viti 2017), të kryera në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, nga organizata Riverwatch dhe Euronature, ka rezultuar se rreth 39% e HEC-eve të ndodhen në zona të mbrojtura. Referuar statusit të mbrojtës, hidrocentralet, nuk kanë kursyer zonat ‘Rezervë Strikte Natyore”, që është kategoria më e lartë ligjore e mbrojtjes, parqet kombëtare (kategoria II), por edhe zona me mbrojte ndërkombëtare sikurse janë zonat Ramsar apo Emerald.
Ndërtimi i hidrocentraleve në këto zona, bie ndesh me legjislacionin shqiptar “Për zonat e mbrojtura”, ku ndër të tjera thuhet se në këto zona “janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë”.
Ndërkaq, pas skandalit të 3 hidrocentraleve mbi lumin Osum, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka premtuar rishikim të të gjitha lejeve mjedisore të dhëna deri më tani.
Ndërkohë që, e kontaktuar nga TV SCAN Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se nëse ministria e Mjedisit konstaton probleme në koncesionet e dhëna më parë, duhet të vërë në dijeni këtë dikaster e më pas të vijohet me procedurat e tjera që parashikon ligji dhe se ai do të zbatohet në çdo rast me rigorozitet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.