Koncesionet që u prekën nga pandemia – Shëndetësia më e dëmtuara, reduktohen pagesat e buxhetit me 18.8 milion euro
Për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë COVID19, gjatë vitit 2020 janë prekur disa kontrata koncesioni me mbështetje buxhetore, për të cilat me aktet normative përkatëse është bërë reduktimi i fondeve lidhur me pagesat ndaj shoqërive koncesionare ose në disa raste edhe pezullimi i përkohshëm i tyre. Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave lidhur me perfomancën e kontratave koncesionare gjatë vitit 2020, mbështetja buxhetore për këto kontrata nga 12 miliardё është zvogëluar me 2.3 miliardë lekë apo 18.8 milion euro.
Si rrjedhojë, plani i rishikuar në fund të vitit 2020 arriti nivelin prej rreth 9.7 miliardë lekësh dhe u realizua në masën prej rreth 99 % (përqind) të këtij plani. Qëllimi i rishikimeve të ligjit të buxhetit gjatë vitit 2020, përfshirë zvogёlimin e fondeve tё PPP, ishte të orientonte mbёshtetjen buxhetore nё sektorёt jetikё tё prekur nga pandemia Covid-19. Konkretisht janë prekur kontratat që janë aktive në sektorin e shëndetësisë, si ajo “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç”, ku shoqëria konceisonare ka kërkuar pezullimin e kontratës për shkak të forces madhore.
Kjo kontratë është pezulluar deri në përfundim të pandemisë COVID – 19 dhe fondet e planifikuara lidhur me të në zbatim të akteve normative janë reduktuar me 524 milion lekë. Po ashtu është prekur kontrata “ Për sterlizimin e instrumenteve kirurgjikale” për shkak të pezullimit përkohësisht të ndërhyrjeve kirurgjikale, duke bërë që kontrata të funksionojë në mënyrë të reduktuar për më shumë se dy muaj dhe fondet e planifikuara janë reduktuar me 459 milionё lekë. Kontrata për “Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore është ngadalësuar dhe si rrjedhojë fondet e planifikuara janë reduktuar me 720 milionë lekë.
Kontrata ka nisur funksionimin e saj më datë 2 Nëntor 2020 në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza” ndërsa nuk është marrë asnjë masë për pezullimin e “Shërbimit të dializës”. Përtej sektorit të shëndetësisë, është prekur edhe kontrata e skanimit në dogana, pasi situata e krijuar prej pandemisë Covid-19 pati ndikimin e vet, duke sjellë si rezultat edhe reduktimin e pagesës të vitit 2020 për shoqërinë koncesionare në masën 400 milion lekë. Për vitin 2020 në Republikën e Shqipërisë rezultojnë 226 kontrata partneriteti-publik-privat.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.