Koncesioni i “Check-up”-it – Vokshi: Në 3 vite janë paguar 6.4 mln euro nga buxheti për analiza të pakryera
Koncesioni i check-up ka dështuar, ndërkohë që në 3 vite koncesionarit i janë paguar 6.4 mln euro nga buxheti i shtetit për analiza që nuk janë kryer”. Në një deklaratë për media, deputetja e Parisë Demokratike Albana Vokshi tha se vetëm 26% e përfituesve e kanë kryer, ndërkohë që kryeministri Edi Rama hesht përpara këtyre fakteve.
“Sipas kontratës korruptive të Edi Ramës, shteti është i detyruar t’i paguajë Vilma Nushit çdo qindarkë të 7 milionë eurove, edhe sikur check up-in të mos e bëjë as edhe një qytetar i vetëm. Në total, në tre vite, Vilma Nushi është paguar 6.4 milionë euro për mbi 420 mijë analiza të pakryera asnjëherë. Koncesioni i Check up ka dështuar”, akuzoi deputetja e PD.
Sipas Vokshit këto para duhej të kishin shkuar për rritjen e pagave të personelit shëndetësor.
“Koncesioni i dështuar i check up duhet të anulohet dhe 7 milionë eurot që i jepen çdo vit klientes së Edi Ramës të programohen për rritjen e shërbimit në spitale. 7 milionë Euro të koncesionit të dështuar të check up, do të mjaftonin për t’u siguruar kurat dhe mjekimet e munguara të sëmurëve me kancer. 7 milionë Euro të koncesionit të dështuar të check up do të mjaftonin për të rritur pagat dhe për të siguruar shpërblime për të gjithë mjekët dhe infermierët që punojnë në kushte skandaloze”, deklaroi Vokshi.
Pak ditë më parë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi rishikim të kontratës koncesionare, duke mos paguar për analiza që nuk janë kryer dhe duke rritur cilësinë e shërbimit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.