Koncesioni i tragjedisë! Pas shembjes së urës në Genova, shteti akuzon kompaninë
Vetëm pak orë pas tragjedisë në Genova ku shembja e urës shkaktoi të paktën 39 të vdekur dhe disa dhjetra të plagosur, krahas operacioneve të shpëtimit kanë nisur debatet e ashpra për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Dy zëvendëskryeministrat, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, kanë deklaruar se do t’i heqin koncesionin kompanisë Atlantia, që kontrollon rrjetin e autostradave në Itali.
Ndërsa, ministri i Transporteve, Danilo Toninelli, kërkon dorëheqjen e drejtuesve të koncesionarit. Menjëherë pas ngjarjes tragjike në urën Morandi, titulli i kompanisë Atlantia në bursë ra me 5,3%, duke i shkaktuar një humbje prej 1,1 miliardë euro.
Duke folur për mediat, zëvendëskryeministri Di Maio, deklaroi se përgjegjësit kanë një emër dhe mbiemër dhe janë Autostradat për Italinë. “Prej disa vitesh është thënë se privatët mund të kontrollojnë shumë më mirë pronat publike, sot gjendemi në një situatë të tillë ku një nga koncesionarët më të mëdhenj europianë kishte deklaruar se kjo urë ishte e sigurtë. Kompania duhet të kryente mirëmbajtjen dhe nuk e ka bërë. Para së gjithash duhet drejtuesit e saj duhet të japin dorëheqjen”, shtoi ai.
Më tej Di Maio, shprehet i prerë rreth mundësisë së heqjes së koncesionit dhe vendosjen e një gjobe prej 150 milionë euro. Ministri i Transporteve, Danilo Toninelli, ka deklaruar se, shoqërive që kanë për detyrë mirëmbajtjen e autostradave i paguajmë çmimet më të kripura në Europë. Por, ato pasi arkëtojnë miliarda, paguajnë pak miliona taksa dhe nuk kryejnë mirëmbajtjen sidomos në ura. Sapo kemi nisur të gjitha procedurat për heqjen e koncesionit dhe vendosjen e një gjobe deri në 150 milionë euro.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.