Koncesioni i Porto Romanos – Braçe kthen në qeveri projektligjin: Ka gabime matematikore
Komisioni i Ekonomisë ka rikthyer në qeveri projektligjin, që parashikon ndryshim e kontratës koncesionare për ndërtimin e portit në Porto Romano. Kreu i komisionit, Erion Braçe tha se relacioni shoqërues është me gabime matematikore, duke kërkuar që Këshilli i Ministrave të sjellë një akt tjetër ligjor.
“Problemi që kemi ka të bëjë me një gabim që ka kontrata. Dhe ne nuk mund të miratojmë një kontratë që ka gabim. Nëqoftëse qeveria do që kjo kontratë të kalojë, të vijë të sjellë një akt tjetër ligjor nga Këshilli i Ministrave për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, tha kryetari i komisionit, Erion Braçe.
Pavarësisht se diskutimi për këtë projektligj u shty, deputetët e opozitës ngritën shqetësime për hidrovorin e qytetit të Durrësit, që sipas tyre preket nga zbatimi i kontratës.
“Gjendja e hidrovorit midis murit që po ndërton aktualisht operatori pa pasur asnjë lloj miratimi, as nga ky komision e as nga Kuvendi i Shqipërisë, gjendja e tij midis këtij muri dhe ish-murit dallgëthyes të projektit të parë, të cilin kërkon sot ta forcojë apo ta ktheje në një kaladë. Hidrovori në vetvete, nëse ju nuk e dini, ka rëndësi jetike për qytetin. Që do të thotë, me shumë pak njohuri fizike, nëse ky hidrovor qëndron midis këtyre dy mureve, minimalisht do sjellë një keqfunksionim të tij. Nëse ky hidrovor nuk funksionon minimalisht për pesë orë, një zonë e tërë në qytet, ku banojnë 100 mijë banorë, mund të përmbytet”, tha deputetja e PD, Fatbardha Kadiu.
Shtesa e kontratës koncesionare parashikon një rritje të vlerës së investimit me 4.5 milion dollarë, kosto e cila do të paguhet nga investitori, pa ndryshuar afatet e pagesës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.