Konferenca e Ekonomikut – Sejko, Leskaj dhe Veliaj: Politikat të orientohen nga kërkimi
Politikëbërësit duhet të orientojnë politikat në bazë të kërkimeve dhe studimeve që dalin nga profesionistë. Ishte ky mesazhi i dhënë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës në konferencën e 3 Kombëtare të organizuar nga Fakulteti Ekonomik me tematikën “Prioritetet e ekonomisë shqiptare në kuadër të integrimit rajonal dhe global”
“Në objektivat tanë kryesorë, ne kemi arritur objektivat dhe po vazhdojmë punën në drejtim të rritjes së shifrave, rritjes së ekonomisë dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Natyrisht që të gjitha këto objektiva, i gjithi ky rol nuk do të arrihej dot pa reformat tërësore strukturore të ndërmarra në një shkallë më të gjerë dhe të gjitha këto reforma strukturore të ndërmarra, si nga Banka e Shqipërisë edhe nga autoritetet e tjera kanë nevojë për studim kanë nevojë për punë kërkimore, kanë nevojë për një bashkëpunim me të gjitha institucionet studimore, kërkimore ashtu siç është edhe Fakulteti i Ekonomisë”, tha Gent Sejko, Guverantor i Bankës së Shqipërisë
“Ky produkt cilësor që ju prodhoni duhet të pretendojë të luajë rol edhe të mendimit alternativ, edhe të oponencës konstruktive ndaj politikave të deritanishme të menaxhimit të financave publike dhe nxitjes për zhvillim të dhënë nga qeveria dhe shteti ndaj financave private”, tha Bujar Leskaj, kreu i KLSH-së
“Pra, kemi hyrë në një fazë ku edhe për investimet publike, na duhet të mendojmë me një model financiar ku investimet fillojnë e paguhen vetë, që do të thotë se janë një mënyrë se si shpërblejnë qytetin me financa, të cilat më pas përdoren edhe për investime të tjera. Në fakt, shumica e investimeve aktuale të Bashkisë së Tiranës është futur në këtë kornizë financiare”, tha Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj ftoi të gjithë ata që kanë mundësi që të shqyrtojnë mundësinë e investimit në punë publike, të cilat do të gjeneronin të ardhura jo vetëm për ta, por njëkohësisht do të ndihmonin edhe qytetin në realizimin e shpejtë të projekteve. “Besoj se sot ka më shumë leverdi investimi në skema publike-private, se sa ndoshta depozitimi me interes negativ në banka”, theksoi ai.
Veliaj solli në vëmendje suksesin që është arritur me ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve publike përmes bashkëpunimit me privatët, model që do të ndiqet tashmë edhe për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do të japin impakt pozitiv edhe në ekonomi.
“Në pamundësi për t’i bërë shkollat me ritmin financiar që ka investimi publik në Shqipëri, skema që kemi propozuar është që të ndërtojmë 20 shkolla menjëherë, duke përdorur kapital privat, dhe paratë vjetore që i harxhonim në investime të ngadalta ndër vite, t’i përdorim si këste. Interesi nga sektori privat ka qenë i pabesueshëm dhe sot kemi mbi 40 shprehje interesi, pikërisht prej kësaj skeme, të njerëzve që kanë depozita në bankë, ose që kanë linja kreditimi në bankë dhe më mirë se t’i mbajnë aty me interes negativ, i fusin në një skemë të tillë që është më shpërblyese. Vetëm nga kjo skemë do të injektohen në ekonominë shqiptare, nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, 49 milionë dollarë në 7 vitet e ardhshme”, u shpreh ai.
Në konferencë u prezantuan një seri punimesh të pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të lidhura me çështjet e ekonomisë dhe integrimit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.