Konferenca e Komitetit të NATO-s – Rama: Do rrisim shpenzimet për mbrojtjen

Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Konferencën e Komitetit të NATO-s që po zhvillohet në Tiranë. Gjatë kësaj konference Rama foli për një program ambicioz modernizimi në këtë drejtim në përmbushje të zotimeve në Uells dhe Varshavë .
“Pjesëmarrja jonë e gjerë në këto misione nuk ka qenë një sfidë e lehtë për resurset e kufizuara të vendit. Megjithatë përmbushjet e zotimeve tonë në Wells dhe Varshavë, një program ambicioz modernizimi do të shoqërohet dhe me rritjen progresive të shpenzimeve për mbrojtjen ashtu sikundër në vijimësi forcat tona të armatosura do të jenë prezent për çdo rast dhe front ku ato do të jenë të thirrura. Ato janë sot prezente në misionet e NATO-s në Afghanistan, Kosovë, Letoni dhe në Detin Egje, ashtu sikurse dhe pjesë e misioneve të BE në Bosnje Hercegovinë dhe në Mali. Edhe në të ardhmen do të japim kontributin tonë për realizimin e spektrit të gjerë të angazhimit të NATO-s në kuadër të masave për “Defense and Deturns” për Enhance forward presence dhe për “Project in Stability Beyond our Borders”.
Më tej kryeministri vlerësoi si të rëndësishëm zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejtë vendeve të rajonit si domosdoshmëri për stabilitetin .
“Një ndër përgjegjësitë e rëndësishme të Shqipërisë është kujdesi i saj për të kontribuar që rajoni historik, i brishtë i Ballkanit të shndërrohet në një rajon të paqes demokracisë stabilitetit dhe prosperitetit. Me hyrjen e Malit të Zi në NATO, Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht që në krye të herës. Aleanca jonë përves se atlantike u bë plotësisht edhe “adriatike”. Tashmë deti Adriatik është shndërruar në një det të brendshëm për aleancën duke i dhënë asaj rolin e një aseti maritim shumë të rëndësishme për një aset shumë të rëndësishëm për sigurinë europiane. Megjithatë hartës së NATO-S i mungojnë Bosnje Hercegovina, Serbia Kosova dhe Maqedonia. Shqipëria si një vend që kufizohet apo ndërvepron në shumë mënyra me këto vende ka një interes por ka dhe një përgjegjësi të veçantë që kjo pjesë organike e rajonit dhe e kontinentit tonë të shndërrohet dhe në një faktor por dhe në një të qëndrueshmërisë por dhe të prosperitetit të tij”.
Delegacione të ushtrive të vendeve të NATO-s ndodhen në Tiranë për një takim dy ditor për të diskutuar mbi stabilitetin dhe situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Komiteti kryesohet nga komandanti Suprem i Forcave Aleate për Europën, gjeneralin Kurtis Scaparrotti dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.