Konferenca ndërkombëtare – INSTAT: Duhen statistika më cilësore dhe më të shpejta
Të enjten nisi në Tiranë Konferenca e parë Ndërkombëtare për Statistikat e Aplikuara dhe Ekonometrinë, e organizuar nga Universiteti Epoka, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave.
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme, Delina Ibrahimaj, tha se nevoja për statistika më të shpejta dhe më cilësore është një sfidë për INSTAT.
“Statistikat janë instrument kyç për të matur progresin shoqëror dhe zhvillimin. Ne jemi të ndërgjegjshëm që kërkesa për statistika është në rritje. Afatet e publikimit të statistikave duhet të jenë më të shpejta, për t’ju përgjigjur nevojës për analiza dhe vendimmarrje. INSTAT ka pasuruar numrin e statistikave që publikon, ndërkohë që paralelisht po punojmë edhe për përmirësimin e cilësisë së statistikave”, tha Ibrahimaj.
Qëllimi i konferencës dyditore është ndarja e përvojave dhe rezultateve të kërkimeve më të fundit në lidhje me Statistikat e Aplikuara dhe Ekonometrinë, ashtu si edhe diskutimi i sfidave më të reja nga praktika, për të cilat këto disiplina mund të japin zgjidhje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.