Konferenca në Kroaci – Sejko: FMN, rregullator për Rajonin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Ripërshpejtimi i konvergjencës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore – roli i qeverisjes dhe institucioneve”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kroaci.
Gjatë konferencës, Guvernatori Sejko ishte pjesë e tryezës së diskutimit, organizuar nga Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, zj. Christine Lagarde.
Në këtë tryezë, Guvernatori diskutoi mbi kontributin që ka dhënë FMN-ja për realizimin e reformave në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Guvernatori tha se programet dhe këshillat e FMN-së kanë qenë vendimtare në vendosjen e rajonit në rrugën e duhur.
Për më tepër, FMN-ja ka vazhduar të luajë rolin e rregullatorit sa herë që vendet e këtij rajoni janë përballur me vështirësi ekonomike dhe financiare. Për ta ilustruar këtë rol, ai solli si shembull marrëveshjen e fundit midis Shqipërisë dhe FMN-së, e cila u konsiderua si një domosdoshmëri dhe zbatimi i saj përfundoi me sukses.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria vazhdoi ritmin rritës të ekonomisë dhe ndërmori një sërë reformash strukturore.
Për sa i përket rolit të FMN-së në të ardhmen, Guvernatori u shpreh se ky rol mund të jetë më fleksibël dhe më eficient, duke kontribuar në forcimin e masave parandaluese të krizave të mundshme dhe në arritjen e objektivave finalë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.