Konfindustria: Mirëpresim uljen e ngarkesës tatimore për bizneset e individët, por nevojitet përmirësim thelbësor i politikave fiskale
Konfindustria mirëpret uljen e ngarkesës tatimore për disa kategori biznesesh dhe individësh, të paraqitura në programin e Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, duke e vlerësuar, se duhet të jetë hapi i parë drejt përmirësimit të domosdoshëm të gjithë politikave fiskale të deritashme.
“Në programin e shumicës qeverisëse të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë u parashikua lehtësim i politikave fiskale dhe konkretisht ulja e tatimeve për dividendin dhe tatim fitimi për kompanitë e teknologjisë në masën 6% dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për disa kategori individësh në nivelin e 18%. Konfindustria vlerëson, se masat e mësipërme nuk do të kenë asnjë ndikim të prekshëm pozitiv, nëse nuk do të shoqërohen me përmirësim thelbësor të gjithë politikave fiskale të deritashme”, thuhet në deklaratën e Konfindustria.
Sipas Konfindustria nga zbatimi i uljes së tatimit mbi dividendin mund të ketë pasoja mbi ekonominë e vendit dhe përfitues do të ketë vetëm monopole te privilegjuara.
“Për me shume nga zbatimi i uljes së tatimit mbi dividendin nga 15% ne 6% pa përjashtim për gjithë kategoritë e biznesit, mund të ketë pasoja negative për ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit. Përfitues do të jenë vetëm monopole dhe oligopole të privilegjuar me licenca, koncesione shtetërore, që veprojnë në sektorët e tregjeve të mbyllura dhe mungesë konkurrence dhe që qarkullojnë sasinë kryesore të flukseve financiare në ekonominë vendore”.
Politikat fiskale në fuqi janë ndër shkaqet kryesore të gjendjes së vështirë ekonomike, fuqisë konkurruese të dobët tërheqjes së investimeve të huaja dhe të vendit krahasuar me Rajonin, rritjes se ulet te PPB, largimeve masive të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, etj, përfundon deklarata.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.