Konfliktet tregtare frenojnë Eurozonën – Ekonomia rritet me vetëm 0.3% në T2, inflacioni kalon objektivin
Ekonomia e Eurozonës ka vazhduar ngadalësimin në tremujorin e dytë, sipas të dhënave paraprake, ndërkohë që ekonomistët thonë se ka ndikuar lufta tregtare me SHBA.
Paralelisht, Eurostat publikoi të dhënat mbi inflacionin, ku pati një rritje prej çmimeve të energjisë. Agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian vlerësoi se Produkti i Brendshëm Bruto i Eurozonës u rrit me 0.3% në tremujorin e dytë nga i pari dhe me 2.1% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Ekonomistët prisnin një rritje me 0.4% me bazë tremujore dhe me 2.2% nga viti i kaluar.
Sipas ekonomistëve, pasiguritë në lidhje me tregtinë kanë dhënë ndikim në rritjen ekonomike, duke ndikuar eksportet dhe besimin. Ndërkohë që besimi i konsumatorëve dhe bizneseve është përkeqësuar, kjo ka ndikuar në dobësimin e kërkesës së brendshme.
Ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, Franca, është frenuar nga probleme të brendshme në tremujorin e dytë, ndërkohë që grevat dhe rritja e taksave kanë ngadalësuar shpenzimet konsumatore. Eurostat vlerësoi se inflacioni në Eurozonë u rrit në 2.1% gjatë Korrikut, nga 2% që ishte në Qershor, kryesisht prej çmimeve të energjisë. Inflacioni bazë, që përjashton energjinë dhe ushqimet e papërpunuara, u rrit gjithashtu në 1.3% nga 1.2%. Inflacioni ka arritur nivelin objektiv të Bankës Qendrore Europiane, por efekti i energjisë në çmime pritë të jetë i përkohshëm dhe institucioni nuk pritet të ndryshojë udhëzimin mbi politikat.
Eurostat publikoi edhe të dhënat mbi papunësinë në Eurozonë, me normën që qëndroi në 8.3% gjatë Qershorit, e pandryshuar nga muaji Maj. Norma më e ulët në vendet anëtare u regjistrua në Gjermani, në 3.4% të fuqisë punëtore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.