Konflikti tregtar BE-SHBA – Gjermania bën thirrje për unitet mes vendeve anëtare në negociata
Gjermania i ka bërë thirrje shteteve të Bashkimit Europian, që të bien në dakordësi për një qasje të përbashkët në negociatat mbi tregtinë me Shtetet e bashkuara, pasi presidenti Donald Turmp zgjati përjashtimin e përkohshëm të Europës nga tarifat e çelikut dhe aluminit.
Edhe pse Bashkimi Europian bëri thirrje për një përjashtim të përhershëm, ndërkohë që zgjatja një mujore po shkakton pasiguri te bizneset, ekzistojnë ndasi mes vendeve anëtare.
Ministri i Ekonomisë në Gjermani, Peter Altamaier, tha se Bashkimi Europian po përballet me një situatë të vështirë, që kërkon zgjidhje në negociatat mes Europës dhe Amerikës. “Bashkimi Europian duhet të arrijë në dakordësi mbi rezultatin që synohet nga negociatat”, tha Altmaier.
Prioriteti për ekonominë gjermane të orientuar nga eksportet, është që të arrijë një marrëveshje për të ulur tarifat në një spektër të gjerë të produkteve, veçanërisht në manifakturë.
Nga ana tjetër, Franca ka bërë të ditur se është gati të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë, për të trajtuar mbikapacitetin në sektorët e çelikut dhe aluminit.
Megjithatë, zyrtarët francez kanë insistuar se do të diskutojnë mbi këtë çështje, vetëm nëse kanë siguri se Bashkimi Europian do të përjashtohet në mënyrë të përhershme nga rritja e tarifave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.