Konformiteti dhe anomalia e një buxheti
Nga Enio Civici
Në 30 ditët e ardhshme, qytetarët do të dëshmojnë nëse buxheti 2018 është një dokument si të tjerët me abuzimet e zakonshme klienteliste apo do të provojë të jetë mbledhja dhe shpërndarja më e suksesshme e parave që kemi parë deri tani. Ky është buxheti i parë i qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit dhe si i tillë pritet të përfaqësojë frymën me të cilën mazhoranca do të udheheqë procesin ekzekutiv të 4-vjeçarit të ardhshëm. Nën optikën optimiste të qeverisë, treguesit kryesorë, si rritja ekonomike, deficiti apo borxhi publik, respektivisht 5%, 2% dhe 68.6% parashikohen në terren të pranueshëm.
Cilat janë 5 shtyllat reformuese ku do të bazohet?
Reforma në drejtësi, reforma e derregullimit, reforma e ujit, reforma territoriale dhe reforma e menaxhimit të financave publike. Edhe pse kanë emra të mëdhenj këto reforma mund të zbërthehen shumë shpejt. Amplifikimi institucional i drejtësisë kërkon në çdo hap mbështetje monetare; eksperienca ekonomike ka treguar se derregullimi në fazën e parë është procesi më i kushtueshëm përderisa bazohet në implementimin e teknologjisë; më pak se 30% e popullsisë paguan ujin dhe këtu ka pak vend për debat; reforma u arrit territorialisht por ka mbetur në vend në aspektin administrativ; ndërsa mirëmenaxhimi i financave publike është një shtyllë 20 vjeçare e buxheteve vjetore dhe duket se do të jetë aty dhe më gjatë.
Në lidhje me parimin e dytë të analizës së këtij dokumenti, taksat, veçohen 4 drejtime kryesore. Për herë të parë, nën një amulli të madhe burokratike, do të tentohet të aplikohet taksa e pronës në bazë të vlerës dhe jo të kuotës fikse për metër katror. Kjo është një nismë e mirëpritur fiskalisht por në kushtet e mungesës së kadastrës fiskale dhe varfërisë së ndjeshme pritet të kthehet në një dhimbje kokë për dikasterin e financës.
Përjashtimi i biznesit të vogël në regjimin e taksës së vlerës së shtuar është hapi i radhës, i nisur nga qeveria Berisha 2 dhe tashmë e vazhduar nga Rama 2 për të mbyllur zinxhirin e zhvendosjes së vlerës. Nën një klimë konfrontimi dhe debati në 2018, tavani i përjashtimit nga taksa e vlerës së shtuar do të bëhet xhiro deri në 2 milionë lek.
Përjashtimi nga tatim/fitimi i hoteleve me 4 dhe 5 yje në rastet kur përfitojnë statusin special, në kushtet e një mungese vlerësimi zyrtar të hoteleve në Shqipëri, edhe pse një nismë pozitive për të afruar kapital, mbetet një vendim personal i kësaj qeverie.
Dhe në fund, aspak për nga rëndësia, është ulja e tatimit për bizneset IT, këto parë në aspektin prodhues edhe pse në Shqipëri ende nuk është shpikur ndonjë software mbresëlënës. A ka një rrezik që vlen të diskutohet që tani me qëllim përmirësimin?
Ekziston një rrezik që shfaqet qysh në ditët e të para të njohjes me buxhetin dhe paketën fiskale. Respektivisht tendenca e theksuar e fuqizimit të termit VKM edhe në shtrirje. Në këtë kontekst është konstatuar mbi 13 herë mbështetja te diskrecioni qeveritar në projekt/buxhetin e paraqitur në kuvend. Është vënë re varësia nga vendimet e këshillit të ministrave për përjashtimin nga regjimi TVSH, fondet e regjimit spitalor, përdorimi i të ardhurave nga privatizimet, numrat rezervë të organikave të administratës apo dhe modelet e financimit të institucioneve të arsimit të lartë.
Në këtë prizëm eksperienca ndërkombëtare sugjeron varësi të ulët nga “humori” qeveritar dhe mbështetje në institucione strukturalisht legjislative. Ky buxhet, përveç se ravijëzon filozofinë e parave shqiptare të vitit 2018, nën ligjëratën e ministrit të financave, ka ngritur siparin dhe për një rregullim progresiv të fitimit. Tatimi i integruar i të ardhurave është faza finale e implementimit të sistemit të taksimit progresiv në Shqipëri, pra mbledhja e të gjithë parave të fituara nga një individ dhe vënia e kësaj shume nën nivelin progresiv të tatimit.
Nëse ky sistem i ri taksimit do të aplikohet menjëherë vitin e ardhshëm apo nëse shoqëria ka ende domosdoshmëri për debat publik, kjo do të jetë e vetmja surprizë që nuk do ta zbulojmë dot deri në datën 1 Janar.
SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.