Kongresi amerikan kalon projektligjin për shpenzimet vjetore 700 miliardë $ në mbrojtje

Me 344 vota pro dhe 81 kundër, Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare kaloi në Kongresin amerikan duke lënë jashtë disa prej amendimeve më të përfolura si ato ndaj ushtarëve transgender dhe politikës së klimës.
Pavarësisht këtyre modifikimeve, përfaqësuesit në Kongres vendosën të mbështesin dëshirën e Presidentit Donald Trump për një ushtri më të madhe dhe më të fortë. Politikat e reja ushtarake do të autorizojnë shpenzime deri në 696 miliardë dollarë nga Departamenti i Mbrojtjes.
Megjithatë, masat e reja mund të përballen me shumë pengesa ligjore para se të bëhen zyrtarisht ligj (nëse marrin dritën jeshile të senatit), pasi shpenzimet tejkalojnë ato të vitit të kaluar prej 619 miliardë dollarës, një shumë tavan kjo për shpenzimet e qeverisë.
Trump kërkon që të kompensojë për shpenzimet ushtarake, duke reduktuar buxhetin e një sërë institucionesh dhe departamentesh që nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen.
Republikanët kontrollojnë shumicën si në Kongres, ashtu edhe në Senat, megjithatë do të kenë nevojë për mbështetjen e demokratëve, të cilët i kanë rezistuar deri tani ndryshimit në buxhet, në mënyrë që planet e Trump të hyjnë në fuqi.
Në ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj, shpenzimet për mbrojtjen me raketa rriten me 25%, ndërsa forcat e armatosura do të përfitojnë një rritje page prej 2,4%, më e madhje në 8 vitet e fundit.
Më vonë gjatë këtij viti edhe Senati do të votojë versionin e saj të projektligjit, dhe dy versionet do të duhet të jenë në bashkërendim, para se Trump të firmosë miratimin, ose të vendosë veton mbi këtë projektligj.
Në pikat e parashikuara nga projektligji, kongresi vendosi të refuzonte amendimin që i jepte fund politikës së Pentagonit për të ofruar kirurgji për ndryshim sekse dhe terapi për ushtarakët në detyrë transgjinorë.
Një amendim tjetër i kundërshtuar, ishte ai që lejonte Pentagonin të mos zbatonte politikat për ndryshimin klimatik dhe energjinë e gjelbër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.