Kongresi i PPE, Basha takime me drejtues të BE-së

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Maltë gjatë Kongresit të Partisë Popullore Europiane, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me drejtues të lartë të institucioneve BE-së dhe udhëheqës politik të së djathtës.
Në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn, Basha u ndal në zhvillimet politike në vend. Sipas njoftimit të shpërndarë për media nga Partia Demokratike, thuhet se Basha theksoi se e vetmja rrugëdalje nga kriza, është krijimi i një qeverie teknike që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar dekriminalizimin, luftuar krimin, paratë e pista etj.
Në këto takime kreu i PD-së ka thënë qeveria teknike do të kishte mbështetjen e plotë politike për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi sipas ndryshimeve kushtetuese konsensuale të 22 korrikut.
Gjithashtu, Basha pati edhe një bisedë me kreun e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, me nënkryetarin e grupit parlamentar CDU-CSU, Friedrih, etj.
Sipas njoftimit të PD-së, në të gjitha takimet, kryetari i Opozitës ka theksuar se beteja në Tiranë bëhet për standardet dhe vlerat e Europes dhe Bashkimit Europian, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.