Konispol, mbyllet procesi i legalizimeve – Lame dorëzon grupin e fundit të lejeve
Janë dorëzuar sot lejet e fundit të legalizimit për banorët e Konispolit, duke e bërë këtë Bashkinë e parë në vend që mbyll këtë proces. Dorëzimi i grupit të lejeve të fundit është bërë nga kreu i ALUIZN-it, Artan Lame, ngjatë një aktiviteti të zhvilluar në prani të deputetit të zonës Alket Hyseni, kryetarit të bashkisë, Shuaip Beqiri dhe drejtorit të ALUIZNI-t, Sarandë, Eleron Gjoni.
“Sot gjendemi në Konispol për të dorëzuar grupin e fundit të lejeve të legalizimit për gjithë territorin e kësaj Bashkie”, tha Lame, ndërsa shtoi se me përmbylljen e këtij procesi kanë mbetur edhe rreth 40 banesa pa u legalizuar.
Këto të fundit janë të pabanuara ose pronarët e tyre janë larguar në emigracioni.
“Gjejmë rastin t’ju bëjmë thirrje atyre banorëve që, në rastin e parë që do të kthehen në atdhe, të paraqiten pranë zyrave tona për të ndjekur procedurat e mbetura. Me legalizimet e sotme, përmbyllet kapitulli i legalizimeve në këtë Bashki, për të hapur më tej me Agjencinë e re të Kadastrës, reformën pasuese, atë të regjistrimit të tokës në fshat.”
Në këtë zonë ka patur gjithsej 660 vetëdeklarime, ku për periudhën 2006-2013 ishin numëroheshin vetëm 8 leje në Xarrë dhe 0 leje në Konispol. Ndërsa për periudhën 2014-2019 janë bërë 606 legalizime.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.