Konkurs në shkollat e Tiranës, Bashkia sensibilizon nxënësit për të mbajtur pastër mjedisin

Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tiranë organizoi konkursin me temë ‘’Të riciklojmë së bashku’’, ku morën pjesë nxënës nga 20 shkolla 9-vjeçare të Tiranës. Nën moton: ‘Redukto, ripërdor, riciklo’’, qëllimi i këtij konkursi ishte sensibilizimi dhe edukimi i nxënësve mbi procesin e riciklimit dhe mbajtjes pastër të mjedisit ku jetojmë, si dhe nxitja e kreativitetit të tyre përmes realizimit të objekteve të ndryshme me materiale të riciklueshme.
Pjesëmarrja e nxënësve në këtë konkurs ishte tepër e lartë, pasi riciklimi efikas dhe efektiv kërkon pjesëmarrjen në shkallë të gjerë të publikut që të jetë i suksesshëm. Në këtë konkurs mbizotëruan larmishmëri idesh për krijimin e objekteve të ndryshme me të cilat ata ishin prezantuar. Gazetat, gotat plastike, tapat e shisheve, kartoni apo druri ishin disa nga materialet e riciklueshme që nxënësit kishin përzgjedhur për të realizuar punimet e tyre.
Mes morisë së krijimeve të nxënësve juria e pati tepër të vështirë të përzgjidhte më të mirët, por në fund u shpallën 3 çmime kryesore; ku çmimi i parë shkoi për shkollën Mëzez-Fushë, çmimi i dytë shkoi për shkollën e Mesme të Bashkuar ‘Farkë’, dhe çmimi i tretë për shkollën ‘Bajram Curri’. Për shkollat fituese ishin menduar gjithashtu edhe disa dhurata simbolike; nxënësit që u vlerësuan me çmimin e parë morën një paketë me 160 libra, dhuruar nga nje shtëpi botuese në kryeqytet, ndërsa për çmimin e dytë u mendua një vizitë e nxënësve në Muzeun Historik Kombëtar.
‘’Bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit dhe Muzeut Historik Kombëtar dhe shtëpinë botuese lindi me qëllim që sensibilizimi i nxënësve të mos mbetej vetëm për kujdesin që duhet të tregojnë për mjedisin, por edhe kujdesin për historinë e trashëgimisë tonë historike e kulturore dhe t’i drejtojmë nxënësit tek libri si mënyra më e mirë për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të dobishme,’’ u shpreh përgjegjësja e Marrëdhënieve me Publikun Anxhela Abdi.
Krahas nxënësve pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe mësues e drejtues shkollash. Valbona Jahaj, drejtore e shkollës ‘Mëzez-Fushë’, u shpreh se nisma të tilla janë mjaft të dobishme sidomos për brezat e rinj, pasi përveçse i edukojnë fëmijët që të mbajnë pastër mjedisin, këto aktivitete janë edhe mjaft frymëzuese dhe nxitëse për të zbuluar talentet e tyre. Sipas Jahaj kjo gjë u pa edhe nga projektet e larmishme që u prezantuan në konkurs.
‘’E vlerësojmë maksimalisht ndërmarrjen e një projekti të tillë i cili jo vetëm sensibilizon brezin e ri për një nga problemet më të mëdha mjedisore të ditëve të sotme atë të ruajtjes së burimeve natyrore, por edhe i nxit ata të shfaqin idetë dhe talentet e tyre. Ndihemi mjaft të kënaqur dhe të motivuar me vlerësimin që na u bë në këtë konkurs, si fitues të vendit të parë; pasi përtej të gjithave ky çmim shmang çdo lloj steriotipi, duke treguar se nxënësit e shkollave në periferi të Tiranës janë po kaq të talentuar sa të tjerët, dhe mund të konkurojnë denjësisht njësoj me bashkëmoshatarët e tyre që mësojnë në shkollat më në zë të qytetit. Faleminderit DPN1 që mundësoi këtë aktivitet mjaft edukativ por edhe argëtues!,’’tha Valbona Jahaj, drejtore e shkollës ‘Mëzez-Fushë’.
Edhe mësuesja e biologjisë në shkollën “Dëshmorët e Lirisë‘’ zonja Shpresa Salami, tha se: “Ne e vlerësojmë shumë fushatën dhe konkursin e iniciuar nga DPN1 mbi procesin e riciklimit pasi është jetik për të gjithë qytetarët. Për më tepër nisma të tilla përforcojnë edhe njohuritë e nxënësve mbi këtë temë; pasi nxënësit e marrin këtë informacion që në bankat e shkollës në librat e tyre, sidomos në lëndën e biologjisë dhe të edukimit mjedisor. Me anë të mësimdhënies ata mësojnë se si të riciklojnë edhe materialet që kanë në shtëpi. Ky është një proces nga i cili nxënësit mësojnë si të ruajnë natyrën dhe kur natyra u jep jetë atyre, edhe ata i japin jetë natyrës.”
Nga ana e tyre vetë nxënësit u shprehen se nga ky konkurs mësuan më shumë mbi procesin e riciklimit dhe dobishmërinë që ka për secilin prej nesh dhe mjedisin ku jetojmë. ‘’Riciklimi është një proces shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për të gjithë botën dhe njerëzit. Pse mos të riciklojmë kur nuk është asgjë e kushtueshme. Unë ricikloj dhe në shtëpi shumë gjëra, për shembull me kanaçe kam bërë një mbajtëse sendesh, mund të ricikloj rroba etj,’’ tha Dea Yzeiri, nxënëse e klasës së 6-të në shkollën ‘Bajram Curri’.
Ndërsa një tjetër nxënëse, Joniana Gjunkshi, e shkollës ‘Dëshmorët e Lirisë’ tha: “Riciklimi është një proces që duhet të kryhet për të mbajtur mjedisin e pastër, dhe materialet që nuk na duhen mund t’i shfrytëzojmë sërish për të krijuar zbukurime, apo sende të tjera që mund të na hyjnë në punë në jetën tonë të përditshme.” Edhe unë kisha dëgjuar dhe më herët për riciklimin pasi edhe mësuesja jonë na kishte shpjeguar rreth këtij procesi. Në këtë konkurs kam realizuar një habitat të quajtur ‘Savana’ me material të riciklueshëm, kryesisht me kartona dhe shkopa akulloresh. Nuk ishte e vështirë për mua përkundrazi ishte kënaqësi,’’ tha Darli Pinari, nxënëse e shkollës ‘Dëshmorët e Lirisë’.
Sipas përgjegjësit të Sektorit të Riciklimit në DPN1, Bashkia Tiranë, Aldo Qilla, e gjithë puna ka konsistuar për ndërgjegjësimin e nxënësve duke analizuar dëmin që shkaktojnë mbetjet në natyrë dhe duke shpjeguar se me pak vullnet, të gjithë së bashku mund të ndihmojmë për mosshterimin e burimeve natyrore, mund të mbajmë ambientin pastër e mbi të gjitha mund të krijojmë. ‘’Nga gjërat e vogla dhe të parëndësishme në dukje, me pak imagjinatë, mund të krijojmë gjëra të mëdha. T’i themi STOP shpërdorimit dhe të mësojmë të ripërdorim. Duke kontribuar, nëpërmjet diferencimit dhe riciklimit jemi duke i dhuruar mjedisit më shumë vite jetë,’’ theksoi Qilla.
Krahas kësaj iniciative, në të ardhmen janë planifikuar të ndërmerren fushata të tjera të ngjashme nga Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tiranë me qëllimin e vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi procesin e riciklimit dhe mbajtjen pastër të ambientit ku jetojmë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.