Konkurset për paranë – Credins Bank financon tre çmime

Banka e Shqipërisë ndau të hënën çmimet për fituesit e konkurseve të shpallura prej saj, me rastin e javës së parasë.
Sipas grupmoshave të ndryshme, fëmijët dhe të rinjtë duhet të jepnin konceptet e tyre mbi paranë dhe kursimin, përkatësisht me vizatime për fëmijët, me video të shkurtra për nxënësit e shkollave të mesme dhe me ese për studentët.
Çmimet e konkursit “videoja më e mirë”, për një vlerë totale prej 100 mijë lekësh u financuan nga “Credins Bank”.
“Banka ‘Credins’ i është bashkëngjitur institucioneve financiare në mbështetje të politikave të misionit të saj korporativ social për të kontribuar në rritjen e aktivitetit dhe edukimit të gjeneratës më të re të qytetarëve, të segmentit më të ri të klientëve, me elementët fillestarë të menaxhimit të parasë dhe të financave. Këtë vit ne zgjodhëm që të mbështesim konkursin e organizuar nga shkollat e mesme në realizimin e disa videove. U zgjodhën tre videot më të mira dhe këtu morëm në konsideratë tre elementë mjaft të rëndësishëm si: edukimi financiar, interaktiviteti dhe përdorimi i teknologjive“, u shpreh Monika Milo, Zv/Drejtorja e Përgjithshme e “Credins Bank”.
Konkurset e organizuara janë pjesë e aktiviteteve që synojnë t’i përfshijnë të rinjtë në edukimin financiar, duke iu mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë dhe si të vendosin bazat për të ardhmen e tyre, nëpërmjet kulturës financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.