Konkursi për 24 drejtorët e Burgjeve dhe drejtorin e Policisë së Burgjeve – Kriteret dhe afatet e aplikimit
Pas shpalljes së konkursit për pozicionet drejtuese të sistemit të burgjeve, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur edhe afatet dhe kriteret e aplikimit për të interesuarit.
Deri më datë 12 Nëntor, individët që përmbushin kriteret duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë këtij institucioni, ose përmes adresës elektronike [email protected] .
Për Drejtorët e 24 Intitucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale kriteret janë si më poshtë:
- është shtetas shqiptar;
- ka zotësi të plotë për të vepruar
- nuk është dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë
- ka mbaruar arsimin e lartë
- është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht, për të kryer detyrën;
- të mos ketë konflikt interesi
Dokumentacioni që kërkohet nga kandidatët që kalojnë fazën e kualifikimit janë:
- Jetëshkrimi i plotësuar në përputhje me formatin e përcaktuar
- Fotokopje e diplomës së arsimit të lartë dhe listës së notave;
- Fotokopje e letërnjoftimit ose e pasaportës;
- Formularin e vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që ushtrojnë funksione publike
Ndërkohë, i lirë është edhe pozicioni i Drejtorit të Policisë së Burgjeve, për të cilin ka vetëm një kriter shtesë nga sa më sipër, i cili është të ketë shërbyer në Policinë e Burgjeve ose në Policinë e Shtetit për një periudhë, të paktën, 10-vjeçare, ku në 3 nga këto vite të ketë mbajtur gradë të rolit të lartë.
Konkursi për vendet drejtuese në Burgje u shpall i hapur ditën e shtunë, pasi Ministrja Etilda Gjonaj shkarkoi nga detyra drejtorët e burgjeve Lezhë, Lushnje dhe Rrogozhinë. Sipas saj, ishin evidentuar mbi 150 raste të lejimit të futjes së sendeve të ndaluara në ambientet e burgjeve, ndërsa në 6 raste ishte lejuar dhe futja e lëndëve narkotike.
Deri në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të dalë nga konkurrimi, komandimin në krye të këtyre burgjeve do të bëhet nga punonjësit me përvojë shumë të gjatë brenda sistemit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.