Konkursi për infermierë – Manastirliu: Ekselentët hyjnë në testim me 10 pikë bonus
“Duke filluar nga konkursi i muajit Shkurt, infermierët ekselentë që konkurrojnë për një vend pune në portalin “Infermierë për Shqipërinë” hyjnë në testim me 10 pikë bonus”.
Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me studentët e fakulteteve të Mjekësisë, të zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama, në bibliotekën e rehabilituar, në një nga konviktet e studenteve të Mjekësisë.
E pyetur pse studentët ekselentë nuk punësohen direkt nëpërmjet platformës punetembare.al, Manastirliu shpjegoi dallimet mes dy platformave:
“Kush aplikon në portalin infermierepershqiperine.al dhe është me mesatare 9-10, ka 10 pikë bonus në testim, ndërkohë që në portalin punetembare.al shpallen vendet e lira në administratë, jo në shërbim”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, ndërsa u ndal te praktikat mjekësore, ministrja tha se po kryhen investime për përmirësimin e infrastrukturës në mënyrë që studentët të kryejnë praktikat klinike në klasa dhe laboratorë modernë.
Ministrja deklaroi se, në kuadër të paktit për universitetin, po vijojnë takimet me studentë dhe pedagogë, duke adresuar problematikat që shtrohen. Një prej tyre është marrja e licencës në afat më të shkurtër për studentët që diplomohen, gjë e cila po adresohet për zgjidhje, në kuadër të angazhimit që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë për të patronazhuar Universitetin e Mjekësisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.