Konservatorët e Merkel zgjerojnë kryesimin tre muaj para votimit

Kristiandemokratët e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe simotra e saj në Bavari kanë zgjeruar kryesimin mbi Socialdemokratët me 15 pikë, në sondazhin javor të kryer nga Instituti Emnid.
Tre muaj përpara zgjedhjeve të 24 Shtatorit, konservatorët vlerësohet se do të marrin 39% të votave, ndërsa SPD ra në 24%. Sondazhi u publikua në versionin e së dielës të gazetës Bild.
Deri në muajin Prill, socialdemokratët që kandidojnë me Martin Schulz për kancelar, gjendeshin në pozita të barabarta me CDU, në 33%-33%.
Konservatorët e Merkel kanë fituar tre zgjedhje rajonale gjatë këtyre tre muajve, ndërsa euforia e fillimit për kandidimin e Schulz, ish presidentit të Parlamentit Europian, u zbeh.
Pavarësisht avantazhit në rritje, CDU/CSU mbetet ende larg një mazhorance dhe mund të hasë vështirësi në krijimin e një koalicioni qeverisës. Partneri i preferuar, Demokratët e Lirë renditen në sondazh me 7% të votave.
Ndërsa të gjelbrit, të cilët mund të formojnë një koalicion me këdo nga partitë, u ngritën me 1 pikë duke shkuar në 8 pikë përqindje. Ndërsa po 8% të votave sipas sondazhit do të marrin edhe partia e të djathtës ekstreme AfD, ndërsa e majta ekstreme pritet të marrë 9% të votave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.