Konstatimi i Bankës Botërore – “Shqipëria përfitoi nga kriza greke”

Raporti i fundit i Bankës Botërore i projeksioneve të ekonomisë për vendet e Europës dhe Azisë Qendrore, fokusohet mbi të gjitha te impakti i emigracionit për vendet që e vuajnë fenomenin; Shqipëria një ndër to.
Mes vendeve të rajonit, Shqipëria është e shtata sa i përket impaktit që kanë remitancat në Prodhimin e Brendshëm bruto të vendit, plot 8.7% vlerëson Banka Botërore për vitin 2017. Mali i Zi dhe Serbia ndërkohë regjistrojnë një normë më të lartë se vendi ynë, në 9.6% dhe 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Raporti i Bankës Botërore nuk fokusohet vetëm te të larguarit, por edhe te emigrantët që rikthehen në vend. Në këtë kontekst, Shqipëria merret si shembulli pozitiv, pasi evidentohet fakti se, kriza greke ka bërë që në vendin tonë të rritet forca punëtore, por edhe të punësohen shqiptarët të cilët nuk janë larguar kurrë nga vendi, dhe që kanë aftësi jo të mëdha.
Në tërësi thotë banka botërore, kriza greke, ka pasur impakt pozitiv në punësimin e atyre që kanë qëndruar. Ndër të tjera, institucioni sqaron se, emigrantët që rikthehen zakonisht vetëpunësohen, duke kontribuar kështu në rritjen ekonomike të vendit.
Më pas, raporti fokusohet edhe të efektet negative të emigrimit, duke nënvizuar se, pasja e një anëtari të familjes në emigrim, ul ndjeshëm pagat e femrave, si dhe rrit punën e papaguar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.