Konsulenti për Eurobondin, rihapet tenderi 23.9 milion lekë! Arsyeja
Ministria e Financave ka hapur tenderin për përzgjedhjen e konsulentit për procesin e emetimit të Eurobondit të ri.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkon të prokurojë shërbimin e një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të katërt, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, që të shërbejë si konsulent ligjor në lidhje me emetimin e këtij Eurobondi.
Sigurimi i shërbimit sa më të mirë në dobi të interesave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës së emetimit të një Eurobondi me metodën RegS/144A, në mënyrë të tillë që në asnjë moment këto interesa të mos cënohen, si rezultat i këtij transaksioni” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Fondi limit është 23 milion e 972 mijë lekë dhe afati i aplikimeve është data 28 janar, raporton SCAN.
Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është duke e filluar nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 31.12.2020. Parashikohet që kohëzgjatja normale e procesit të jetë 8-12 javë, por kjo nuk përjashton mundësinë që autoritetit t’i duhet konsulenca edhe përtej këtij afati, në varësi të kushteve të tregut. Rrjedhimisht shërbimi i konsulentit duhet të kërkohet për aq kohë sa zgjat procesi i emetimit.
Kjo procedurë rezulton e rishpallur, pasi në garën që u hap në fund të vitit 2019, nuk është plotësuar kriteri i pjesëmarrjes.
“Konkretisht në procedurën e prokurimit me objekt “Shërbim i konsulencës ligjore për Eurobondin” me REF- 46148-12-13-2019 ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, duke e bërë të pasuksesshme procedurën e prokurimit e cila për t’u konsideruar e sukseshme kërkon minimalisht dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës në garë “ shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.