Konsumatorët në SHBA po ndiejnë rritjen e çmimeve – Ndikojnë çrregullimet në zinxhirin e furnizimit dhe inflacioni i lartë

Konsumatorët amerikanë po fillojnë të ndiejnë rritjen e çmimeve të produkteve kryesore, për shkak të rritjes së inflacionit dhe çrregullimeve në zinxhirin e furnizimit. Në anën tjetër, shitësit me pakicë dhe prodhuesit kanë paralajmëruar për mungesën e produkteve.
Konsumatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po fillojnë të ndjejnë efektet e rritjes së çmimeve, të shkaktuar nga çrregullimet në zinxhirin e furnizimit, si pasojë e bllokimit të porteve nga ngarkesat kargo. Problemet në zinxhirin e furnizimit po shkaktojnë kosto shtesë për vendin, që tashmë është goditur nga inflacioni i lartë. Në fakt, amerikanët kanë qënë të prekur nga rritja e çmimeve që nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19.
Tashmë, spiralja inflacioniste, së bashku me problemet në zinxhirët e furnizimit në muajt e fundit, i kanë çuar kostot e nevojave bazë në nivele të reja rekord. Indeksi i çmimeve konsumatore në SHBA u rrit me 5.4% në shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe me 0.4% krahasuar me muajin paraardhës. Megjithatë, rritja e çmimeve nuk është faktori i vetëm që shqetëson konsumatorët, pasi edhe mungesa e mallrave po ndikon në jetën e përditshme të amerikanëve.
Në përgjigje të situatës, shitësit e mëdhenj në Shtetet e Bashkuara po marrin me qira anije për të transportuar mallrat në porte në të vegjël, në mënyrë që të shmangin bllokimet në portet më të mëdhenj. Por, mungesa e punonjësve të porteve dhe hekurudhave dhe shoferëve të kamionëve e ka bërë të pamundur që mallrat të dërgohen në kohë. Shumë shitës me pakicë dhe prodhues kanë paralajmëruar tashmë për mungesën e produkteve dhe të uljeve të çmimeve, ndërkohë që po afrojnë festat e fundvitit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.