Konsumi i naftës, në stanjacion – Ngadalësimi i ekonomisë globale ndikon çmimet
Konsumi global i naftës po përballet me një stanjacion që nga mesi i vitit 2018, duke i bërë çmimet më të ulëta të paevitueshme, pavarësisht përpjekjeve të Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj për të reduktuar prodhimin.
18 vendet më të mëdha konsumatore të naftës në botë përfaqësojnë rreth 2/3 e konsumit global. Por, konsumi në këto vende është rritur me vetëm 0.7% në periudhën mars-maj të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Shumica e këtyre vendeve raportojnë shifrat mbi konsumin me një vonesë prej dy muajsh, ndërsa Kina, India dhe Tajlanda raportojnë edhe më ngadalë. Nëse përjashtojmë këto tre vende, atëherë konsumi në 15 vendet e tjera, që përbëjnë 45% të konsumit global, ra me 2.2% gjatë periudhës mars-maj, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018, rënia më e madhe që nga recesioni i vitit 2008-2009.
Që nga viti 2006, rritja e konsumit në këto 15 vende ka qenë një indikator kyç për kërkesën në rang global. Ngadalësimi i rritjes së konsumit që nga tremujori i dytë i vitit 2018 korrespondon ngushtë me ngadalësimin e aktivitetit të manifakturës dhe qarkullimin e mallrave. Për rrjedhojë analistët mendojnë se, si pasojë e ngadalësimit të konsumit një rënie e çmimeve është e pashmangshme, pavarësisht marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Gjatë këtij viti, reduktimi i prodhimit nga OPEC+ ka parandaluar një rënie të theksuar të çmimeve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.