Kontrabanda e cigareve – Policia arreston 4 shtetas, e sillnin mallin nga Mali i Zi
Policia e Shkodrës ka ndaluar 4 shtetas për kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 90 koli me cigare, rreth 15 mije euro, 7 telefona celularë dhe 3 automjete.
“Në datë 21.03.2018, specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës Shkallës Parë Shkodër, finalizuan me sukses operacionin policor ”Vijimësia”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:
– A.K, 54 vjeç, banues në Grilë, Boriç i Vogël, Malësi e Madhe, rezident ne Podgoricë, Mali i Zi.
– E.Gj, 44 vjeç, banues në Bogiq Polvar, Malësi e Madhe.
– A.O, 45 vjeç, banues në Lagjen Skënderbeg, Shkodër.
– A. H, 45 vjeç, banues në Kamicë, Malësi e Madhe”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar kontrabandim të cigareve të markave të ndryshme nga Mali i Zi për në Shqipëri, duke importuar dhe transportuar në rrugë ilegale, jashtë pikave doganore kryesisht në zonën kufitare të Malësisë së Madhe, nga kufiri i gjelbër dhe me mjete lundruese nëpërmjet liqenit të Shkodrës.
Këto shtetas pasi i magazinonin në zonën e Malësisë së Madhe i shpërndanin ato sipas porosive në tregun e brendshëm, duke i tregtuar te persona të tjerë në Shkodër dhe në qytetet e tjera të vendit, si Tiranë, Durrës, Lezhë.
Me cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve ju janë sekuestruar:
- 90 koli dhe 29 steka cigare të markave të ndryshme
- 7 telefona celular
- 14.675 euro
- 3 automjete
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të ”Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë”, ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ”Mos deklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe ”Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.