Kontrabanda italiane sekuestron automjetet luksoze të blera në Shqipëri e vendet e tjera jashtë BE

11 makina luksi dhe 50 mijë euro gjoba është bilanci i operacionit të fundit të Guardia di Finanza në qytetin e Torinos. Automjetet, të cilat kishin targa shqiptare, moldave, ukrainase dhe zvicerane, drejtoheshin kryesisht nga piemontezë dhe lombardezë, të të gjitha shtresave të shoqërisë.
Drejtuesit italianë i blinin makinat e shtrenjta jashtë kufijve të Bashkimit Europian, për të kursyer në taksa, siguracione dhe të detyrime doganore. Kjo konsiderohet si fronti i ri i kontrabandës, por në këtë rast nuk rezultoi një ujdi e mirë.
Tashmë, shtetasve që banojnë në Itali, të cilët ndalohen në drejtim të makinave të huaja, do t’u sekuestrohet automjeti dhe do të mund ta rimarrin vetëm pasi të paguajnë detyrimet e shmangura së bashku me disa penalitete.
Kjo ndodh pasi, në mungesë të një autorizimi doganor dhe të kushteve të nevojshme për të përfituar pranim të përkohshëm, këto mjete të regjistruara në një shtet jo të BE, rezultojnë të futura në Itali në mënyrë kontrabandë.
Gjatë kontrollit të Guardia di Finanza, janë konstatuar edhe mjete të drejtuara nga shtetas italianë që nuk kishin formalizuar ende qëndrimin jashtë shtetit. Për këto raste nuk pati penalitete, por u bë vetëm kërkesa që ata të rregullojnë pozicionin e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.