Kontrabanda në Kosovë, 1300 raste të evidentuara në 2016. Vlera arrin në miliona euro

Autoritetet doganore të Kosovës, përgjatë vitit 2016 kanë evidentuar mbi 1.300 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme.
Vlera e mallrave që janë tentuar të futen si kontrabandë, përmes pikave kufitare dhe në kufirin e ashtuquajtur “vija e gjelbër”, sipas përfaqësuesve të Doganave të Kosovës arrin në miliona euro. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” ka thënë se rastet e zbuluara të kontrabandës kanë shënuar rritje, por niveli i kontrabandës ka pasur rënie nga viti në vit, pasi hyrjet doganore janë rritur.
“Numri i kundërvajtjeve të zbuluara nga Dogana e Kosovës gjatë vitit 2016 ka qenë mbi 1300 kundërvajtje që krahasuar me vitin 2015 është një rritje për 15 për qind. Por, kjo nuk do të thotë që kemi rritje të kontrabandës, pasi sipas vlerësimeve tona kemi një rënie të numrit të nivelit të kontrabandës, pasi kemi rritje të të hyrave”, thekson Stavileci.
Kontrabanda me mallra të ndryshme, sipas Stavilecit është më e pranishme në pjesën veriore të Kosovës, por nuk përjashtohen edhe pjesët tjera të vendit. Produktet që kryesisht kontrabandohen, sipas tij, janë mallra e akcizës si derivatet e naftës, produktet e duhanit etj.
Por, ndryshe nga deklarojnë autoritetet zyrtare të Kosovës, lidhur me nivelin në rënie të kontrabandës, përfaqësuesit e bizneseve thonë të kundërtën. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini është shprehur se niveli i kontrabandës ka shënuar rritje.
“Raportet e ndryshme tregojnë se informaliteti në Kosovë në vitin që lëmë pas (2016) është rritur nga 33 për qind në 35 për qind. Kjo është një shifër alarmante. Mos inkasimi i të gjitha këtyre mjeteve të mallrave që kontrabandohen dëmton buxhetin e Kosovës”, thekson Shahini, i cili shton se duke mos u luftuar kjo dukuri, në tregun e Kosovës është krijuar konkurrencë e padrejtë që po dëmton bizneset formale.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.