Kontrabandë cigaresh– Policia arreston shtetasin në Portin e Durrësit
Policia e Shtetit ka njoftuar goditjen e një tentative të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Policia Kufitare ka sekuestruar 309 steka me paketa cigare dhe ka arrestuar në flagrancë një shtetas.
Sipas njoftimit, Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim më strukturat përkatëse gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., konstatuan të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të pa deklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit.
Policia e Shtetit bëri me dije se pas kësaj u njoftua Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar , Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme, 3090 paketa, kontrabandë. Sipas njoftimit, materialet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Q.S.,32 vjeç, banues në Gostivar, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.
Sipas njoftimit, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.