Kontrabandë mallrash dhe shkelje e pronësisë industriale – Policia arreston 2 shtetas dhe sekuestron produkte me logo të paautorizuara
Policia e Shtetit ka bërë me dije se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, u finalizua operacioni i koduar “Akciza”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve L. T. dhe A. M., si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. B.
Sipas njoftimit arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë konsumuar veprat penale “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.
Policia bën me dije se gjatë operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të konsiderueshme cigaresh të markave të ndryshme, një sasi kafeje dhe një sasi vaji plazhi.
“Theksojmë se këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare, duke shmangur tërësisht detyrimin doganor. Këta shtetas, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, kanë konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm,” shkruhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.