Kontrabandë ngjalash nga Shqipëria? Europol: Shqipëria mes 10 shteteve të “operacionit liqeni”. Tregtia vlen 3 miliardë euro
Gjatë vitit të kaluar, Europol ka konfiskuar rreth 6 ton ngjala qelqi. “Operacioni liqeni” ka përfshirë 10 shtete të ndryshme, mes të cilave edhe Shqipëria. Vendet e tjera të përfshira janë: Bullgaria, Hungaria Çekia, Franca, Gjermania, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Spanja dhe Zvicra.
Ngjalat e qelqit kapin një vlerë prej rreth 2 mijë dollarësh për kilogram në tregun aziatik, për shkak të ofertës mjaft të ulët dhe kërkesës së lartë, e madje shkon edhe deri në 9 mijë euro kilogrami.
Ngjalat e qelqit janë ngjalat në një stad të caktuar të zhvillimt të tyre, në fazën përpara se të arrijnë mautrimin e plotë, dhe mbajnë këtë emër për shkak të lëkurës së tyre transparente.
Ekspertët thonë se në mes të viteve 80-të, në mënyrë të mistershme, ardhja e ngjalave në Europë, ra në mënyrë drastike. Tregtia kontrabandë e ngjalave të qelqit vlerësohet se kap një vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh në vit. Europol jep detaje për rreth 43 arrestime në vende të ndryshme europiane, por pa specifikuar asgjë për shqipërinë, paçka se rezulton të jetë pjesë e operacionit.
Sipas Europol rreth 350 milionë ngjala të tilla trafikohen çdo vit, nga Europa për në Azi, ose më saktë ¼ e atyre që gjenden në kontinent. Japonia, Kina, Korea dhe Taivani janë konsumatorët më të mëdhenj të ngjalave në Botë.
Në rast se në të gjithë Europën konsumi prek shifrën e 25 milionë kileve në vit, vetëm Japonia konsumon 100 milionë kilogram në vit. Britania e Madhe luan një rol të madh në këtë kontrabandë dhe me Brexit tashmë do të jetë shumë më e vështirë kjo lloj tregtie e paligjshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.