Kontratat e punës – Ndryshon ligji, ku do shqyrtohen mosmarrëveshjet mes palëve
Ndryshimet ligjore të bëra në Komisionin e Ligjeve i kanë ndare në dy grupe trajtimin e mosmarrëveshjeve për kontratat e punës.
Nëpunësit civilë dhe punonjësit në sistemin e drejtësisë do ti zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Gjykatat Administrative, ndërsa kategoritë e tjera do të shqyrtohen në shkallët e tjera të gjyqësorit.
E pyetur nga TVSCAN gjatë një dalje për mediat pas miratimit të ndryshimeve në projektligjin për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, deputetja socialiste, Vasilika Hysi, shpjegoi se kjo ndarje është bërë për të lehtësuar fluksin e lartë të ankesave pranë këtyre gjykatave.
Në deklaratën e fundit si kryetar i Komisionit të Ligjeve – pak para se të votohej dekreti për emërimin e tij si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se paketa e ligjeve me shumicë të cilësuar është mbyllur dhe është depozituar në Kuvend.
Më herët, Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet në tërësi në “Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Republikës së Shqipërisë.
Dy projektligjet e fundit që u votuan këtë të enjte nga anëtarët e këtij komisioni, ishin ndryshimet e bëra në ligjin për funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, si dhe për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.