Kontratat “Made in Germany” – Bien porositë industriale në Prill, zbehin perspektivën për T2

Porositë industriale në Gjermani ranë më shumë nga sa priteshin në Prill, ndërkohë që fabrikat dështuan të krijojnë kontrata të reja, gjë që tregon se sektori e ka nisur tremujorin e dytë në pozitë të dobët.
Fabrikat patën një rënie të porosive me 2.1% në Prill, pasi kontratat për mallrat “Made in Germany” kanë patur rritje në dy muajt e kaluar, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë.
Ekonomistët thonë se të dhënat zhgënjyese për muajin Prill bëjnë kontradiktë me treguesit e tjerë të fortë.
Ministria e Ekonomisë deklaroi se numri i kontratave të mëdha ishte poshtë mesatares për muajin Prill.
Të dhënat treguan gjithashtu se kërkesa e brendshme ra me 0.2%, ndërsa porositë nga jashtë me 3.4%. Kërkesa nga vendet jashtë Eurozonës ra me 4.8%, ndërsa porositë nga vendet anëtare të bllokut u tërhoqën me 1.4%.
Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 1.9% në vitin që kaloi, që është norma më e fortë në gjysmë dekade, ndërkohë që konsumi privat, shpenzimet shtetërore dhe sektori i ndërtimit patën një fuqizim. Ky vrull u përcoll në tremujorin e parë të 2017-ës, ku ekonomia u rrit me 0.6%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.