Kontributet “sigurojnë” buxhetin – Të punësuarit kanë paguar 72 milionë euro më shumë

Kontributet shoqërore dhe shëndetësore të paguara nga të punësuarit përgjatë periudhës Janar-Tetor 2021, kanë zënë peshën më të rëndësishme në rritjen e të ardhurave në buxhet. Të punësuarit kanë derdhur në arkën e shtetit afro 72 milionë euro më shumë se një vit më parë dhe duke tejkaluar planin. Po ashtu ky 10- mujor përbën edhe shifrën më të lartë në 5 vitet e fundit, duke e marrë në krahasim që nga viti 2017.
Ky është një sinjal pozitiv edhe për shëndoshjen e skemës së pensioneve, e cila merr një subvencion të konsiderushëm buxhetor çdo vit për shkak të numrit të ulët të kontribuesve dhe numrit të lartë të përfituesve. Shifrat tregojnë rigjallërimin e tregut të punës, pas goditjes që mori vitin e kalur nga pandemia COVID19 ku qindra qytetarë humbën vendet e punës dhe u trajtuan me pagën e luftës. Mesa duket qytetarët janë riintegrimi i qytetarëve në tregun e punës gjatë këtij vitit, ku pasojat e COVID mbi bizneset janë zbehur për shkak të hapjes së ekonomisë, si dhe sezoni turistik ka luajtur rol kryesor, ku numri i të punësuarve sezonale është rritur për shkak të nevojës së përballimit të fluksit të pushuesve.
Duhet thënë se një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë, por edhe të huaj zgjodhën Shqipërinë për të pushuar, për shkak se nuk u aplikuan masa anticovid gjatë sezonit veror, ndërkohë që shtetet e tjera, përveç Malit të Zi, kishin rregulla më strikte. Po ashtu ndikim ka dhënë edhe rritja e pagës mesatare në shkallë vendi dhe e asaj minimale në 30 mijë lekë që nga Janari i këtij viti, çka ka sjellë edhe rritje të masës së kontirbutit që të punësuarit derdhin në arkën e shtetit për pensionet dhe shëndetësinë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.