Kontrolle mbi botet e ujit në Tiranë – UKT: Uji që tregtohet përmes tyre, jo i sigurt

Pas dyshimeve mbi mbushjen e boteve të ujit në kryeqytet, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve ka zbuluar vendet ekzakte ku ndodhte procesi mbushjes së tyre.
Kjo ka ardhur pas vëzhgimeve të kryera në zonën e Lanabregasit, ku UKT prej disa ditësh ka ndërmarrë një aksion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit duke ushtruar kontrolle mbi botet e ujit që qarkullojnë në Tiranë.
Gjatë aksionit i cili ka vijuar 24 orë pa ndërprerje, janë evidentuar edhe 2 pika mbushje përgjatë tubacionit kryesor, të pozicionuar thellë në pyll. Kështu, janë shoqëruar në Polici 5 drejtues auto-botesh që nuk kishin leje dhe licenca për tregtim uji me shumicë.
Sipas UKT-së, këta tregtues ndërhynin në mënyrë të paligjshme në linjat kryesore të transmetimit të ujit, ku përmes tyre uji drejtohet në depot e Ujësjellësit të Tiranës për t’u trajtuar sipas parametrave, duke shtuar se uji i vjedhur duke dëmtuar këto linja është ende i patrajtuar.
UKT iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes në blerjen e ujit, duke shmangur subjektet e palicencuara që tregtojnë ujë të patrajtuar dhe jashtë standardit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.