Kontrolle në biznese për masat anti-Covid – Ikonomi: Kemi konstatuar shkelje, penalitete për bizneset
Bizneset e hapura në të gjithë vendin po kontrollohen në përditshmëri për respektimin e masave anti-Covid.
Kontrollet po kryehen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, për garantimin e zbatimit të Protokolleve të Sigurisë në kuadër të pandemisë të shkaktuar nga Covid-19. Zëvendësministrja e Financave Belinda Ikonomi gjatë një inspektimi në disa biznese në Tiranë, theksoi se janë konstatuar shkelje në këtë drejtim.
“Gjatë inspektimit konstatuam se ka pasur raste kur protokolli i sigurisë nuk është zbatuar në tërësinë e tij. Në këtë rast këshilluam biznesin, duke i orientuar ata se në rast mos zbatimit të rregullave do të duhet të përballen me penalitete, pasi nuk mund të rrezikojmë jetën e qytetarëve dhe as të kthehemi pas në mbylljen e aktiviteteve”, tha znj.Ikonomi.
Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, si pjesë e Njësisë Operacionale, për periudhën 30 Prill- 6 Maj ka kryer rreth 2,000 inspektime në subjektet që janë lejuar sipas protokolleve përkatëse të ushtrojnë aktivitet në qarkun e Tiranës.
Inspektimet kanë përfshirë kategoritë të subjekteve që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve joushqimore, ushqimore dhe shërbimeve të ndryshme.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.