Kontrolle për ujin e pijshëm – Sezoni veror, Gjebrea: Mos shpërdoroni, do përballeni me ligjin!

Me rritjen e temperaturave, gjatë dy muajve të ardhshëm, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë do të ketë vëmendje të shtuar për të mos lejuar shpërdorimin e ujit të pijshëm. Në një intervistë për TV SCAN, Zv.Drejtoresha e UKT-së, Evis Gjebrea, thekson se problematika më e lartë qëndron në periferi, dhe paralajmëron konsumatorët që shkelin ligjin për masa ndëshkuese.
“Kjo është një thirrje e vazhdueshme që veçanërisht në zonat rurale uji i pijshëm nuk mund të përdoret për vaditje, sepse kjo është në shkelje të Kodit të Ujit. Në këtë kuptim patjetër që UKT me grupet e saj të Task-Forcës do të jetë në terren, do t’i kontrollojë në mënyrë të vazhdueshme veçanërisht zonat fermere që e përdorin ujin për vaditje, për shkak edhe të temperaturave të larta. I bëjmë thirrje përsëri atyre qytetarëve, të cilët e përdorin ujin e pijshëm për vaditje që do të ketë kontrolle dhe do të ketë masa sipas parashikimeve ligjore për të mos përdorur ujin për këtë kategori”, u shpreh Gjebrea për SCAN.
Sa i përket shpërdorimit të ujit nga lavazhet, duket se me aksionin e nisur një vit më parë, këtë vit nuk konsiderohet si problem. Megjithatë edhe në këtë drejtim UKT do të kryejë inspektime në terren.
“Lavazhet patjetër që janë objekt i kontrollit të UKT-së. E kemi nisur këtë aksion që vitin e kaluar dhe mund të themi që tashmë lavazhet nuk e përdorin ujin e pijshëm për shërbimet që ata kryejnë. Por, kjo nuk do të thotë se lavazhet nuk janë më subjekt i kontrolleve të Task-Forcës, sepse departamenti i Task-Forcës që UKT ka, në mënyrë të herëpashershme dërgon grupe kontrolli për të riverifikuar nëse përdoret uji apo jo. Por e konfirmojnë që ata nuk e përdorin më ujin e pijshëm për objektin e shërbimit të tyre”, u shpreh Gjebrea.
Sipas ligjeve në fuqi, uji i pijshëm nuk lejohet të përdoret për qëllime të tjera siç është vaditja apo shërbime të ndryshme në biznese.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.